Dardanët – Historia dhe Trashëgimia e Fisit Ilir

Për dardanët flitet që në shekullin e IV para erës sonë, ku përmenden gjurmë që tregojnë praninë e mbretërve të parë, edhe pse pa emra të caktuar. Në shekullin e II p.e.s., burimet historike flasin për dinasti të mirëfillta, duke e paraqitur Mbretërinë e Dardanisë si një nga shtetet më të fuqishme të Ilirisë.

Dardania përbëhej nga disa fise, ku më të rëndësishmet ishin:

  • Dardanët (fisi qendror),
  • Galabret,
  • Daunet,
  • Thunatet.

Ekonomia dhe fuqia ushtarake

Në shekullin e IV p.e.s., Mbretëria Dardane kishte arritur të fuqizohej mjaftueshëm për t’u shfaqur si faktor kryesor në luftërat kundër maqedonasve. Pasuritë e shumta minerare, veçanërisht ari dhe argjendi i dhanë një shtytje të fuqishme zhvillimit ekonomik, i cili dokumentohet përmes shkëmbimeve të shumta tregtare me qendra të tjera të botës mesdhetare.

Kështu del në pah një shtet i fuqishëm, i cili ishte në gjendje, madje më shumë se Maqedonia, t’i bënte ballë edhe dyndjes së madhe të keltëve në vitin 280 p.e.s. Pavarësisht se mbreti i Dardanisë së asaj kohe i ofroi ndihmë Maqedonisë për t’u rezistuar keltëve, mbreti maqedonas Ptolemeu Keraun e refuzoi ndihmën, duke thënë se Maqedonisë së Aleksandrit nuk i duhej mbrojtja e Dardanisë.

Në fakt, ai u vra në luftë dhe ushtria maqedonase u shkatërrua. Por kur keltët tentuan të depërtonin në Dardani, ata u shkatërruan plotësisht një tregues i fuqisë së madhe që kishte arritur Mbretëria Dardane në atë periudhë.

Sipas burimeve historike, dardanët i kishin ofruar Ptolemeut rreth 20 mijë luftëtarë, por ai, në mënyrë fyese, i kishte refuzuar, duke thënë: “Maqedonasit që pushtuan Lindjen, nuk kanë nevojë për dardanë që t’u ruajnë kufijtë”. Rezultati është i njohur: Ptolemeu u kap rob, ushtria maqedonase u shkatërrua, ndërsa keltët, pasi tentuan të hynin në thellësitë e Dardanisë, nuk mbijetuan.

Dardanët – Shtrirja gjeografike

Shtrirja e Dardanisë mund të krahasohet me atë të shqiptarëve në shekullin XIX, në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Ajo përfshinte:

  • Nishin dhe luginën e Moravës,
  • Shkupin (që ishte pjesë e Dardanisë),
  • Kuksin, Hasin dhe Tropojën e sotme.

Dardanët dhe marrëdhëniet me popujt fqinj

Marrëdhëniet mes dardanëve dhe maqedonasve janë të njohura për luftëra të shumta, por edhe për raste të veçanta bashkëpunimi, si ai i vitit 280 p.e.s., kur dardanët u ofruan të ndihmonin maqedonasit kundër keltëve. Përtej Maqedonisë, dardanët kishin lidhje të ngushta me fise të tjera ilire si penestët, pajonët dhe ardianët.

Këto lidhje shpesh forcoheshin përmes martesave mbretërore. Një shembull i njohur është martesa e vajzës së mbretit dardan Monun, Etleves, me mbretin ilir Genti. Ky bashkëpunim tregon se, pavarësisht ndarjes në shumë fise, kemi të bëjmë me një popull të përbashkët – atë ilir.

Kundër hipotezave të rreme

Të gjitha të dhënat historike dhe arkeologjike hedhin poshtë hipotezat e artikuluara shpesh në Serbi dhe Maqedoni, që përpiqen t’i shkëputin dardanët nga trungu ilir. Këto nuk janë përfundime shkencore, por thjesht tendenca politike.

Fakti që dardanët kishin shtrirje të madhe në territore që sot përfshijnë Serbinë dhe Maqedoninë ka nxitur manipulime të shumta. Një shembull është zbulimi i një pllake me mbishkrimin “DARDANUS” pranë Shkupit, të cilën disa arkeologë maqedonas tentuan ta interpretonin jashtë lidhjes ilire – qasje që nuk mbështetet nga faktet.

Historianët grekë, maqedonas dhe serbë shpesh e bëjnë ndarjen e Dardanisë jo mbi bazën e gjeografisë së lashtë, por mbi politikën aktuale, duke tentuar ta paraqesin këtë territor jashtë botës ilire.

Dardanët dhe mbretërit e tyre

Ka mjaft autorë serbë që përpiqen t’i lidhin dardanët me origjinën e tyre, por historianët e vjetër si Straboni, Tit Livi, Plini, Ptolemeu dhe shumë të tjerë e paraqesin Dardaninë si një fis krenar ilir.

Edhe pse shumë të dhëna mbeten të errëta, ne njohim disa nga mbretërit dardanë që shfaqen që prej shekullit të III p.e.s.:

  • Dardanus Recs (një nga mbretërit e parë të përmendur),
  • Longari,
  • Bato,
  • Monuni, dhe më pas mbretër të tjerë.

Kjo tregon se kemi të bëjmë me një dinasti të mirëfilltë, e cila sipas burimeve zgjati për afro 300 vjet.

Mitet dhe legjendat

Ashtu si gjithë bota e lashtë, edhe historia e dardanëve shpesh mbështetet mbi mite. Ata përmenden në beteja të mëdha, në themelime qendrash të rëndësishme dhe në ngjarje që shpesh mbeten të errëta për historinë.

Apiani, historian i lindur në shekullin I në Aleksandri, një nga më të njohurit e kohës së tij, në veprën “Historia e Romës” i kushton një pjesë të veçantë botës ilire.

Sipas tij, Iliri ishte djali i Polifemit dhe Galates. Legjenda thotë se djemtë e Ilirit ishin:

  • Enkeleu,
  • Autari,
  • Dardani,
  • Taulanti,
  • Perrebi,
  • Medi.

Ndërsa vajzat ishin:

  • Daortha,
  • Partha,
  • Dasara, etj.

Nëse lexohen me kujdes, këta emra janë pikërisht disa nga fiset ilire që i njohim edhe nga burimet historike. Kjo legjendë, ashtu si shumë të tjera, i lidh fiset me trungun e përbashkët ilir.

Prej tyre më vonë kanë rrjedhur shumë fise të tjera ilire. Legjendat nuk mbarojnë këtu: thuhet se një pjesë e dardanëve u shpërngulën në Turqinë veriore dhe, sipas Homerit, ata morën pjesë në Luftën e Trojës. Gryka e Dardaneleve ruan pikërisht këtë emër, duke dëshmuar shtrirjen e tyre.

Dardanët shfaqen gjithashtu edhe në pjesë të Italisë së Jugut. Hesiodi, një autor i shek. VIII–VII p.e.s., shkruan për një shpërngulje të dardanëve drejt Azisë së Vogël, ku lidhën fatin e tyre me qytetin e Trojës.

Jo rastësisht, një prej portave të Trojës u quajt Porta Dardane. HomeriIliadë, krahas fiseve të tjera, përmend edhe dardanët dhe udhëheqësin e tyre Enean (Aeneas), që u printe në beteja.

Lufta e Trojës dhe enigma e dardanëve

Lufta e Trojës, e cila gjithmonë është diskutuar mes ekspertëve dhe studiuesve nëse ka ndodhur vërtet apo është thjesht fantazi, përbën vetëm një pjesë të vogël të historisë mitike të dardanëve, sepse të dhënat shkojnë shumë më tej.

Pyetje të mëdha mbeten ende të hapura:

  • Cila ishte kryeqendra e Dardanisë?
  • A janë dardanët ata që përmenden në themelimin e Trojës?
  • Zhvendosjet, luftërat, enigmat – çfarë fsheh bota dardane?
  • Pse disa e njohin si qendrën e fundit të botës ilire?
  • Dhe mbi të gjitha, si është deformuar kjo histori nga sllavët?

Ka patur përpjekje të vazhdueshme për të thënë se dardanët e Ilirisë nuk ishin të njëjtë me dardanët e Trojës. Por në fakt, dyndjet e një pjese të popullatës drejt Azisë së Vogël nuk përmenden vetëm nga Hesiodi, por edhe nga shumë autorë të tjerë.

Historia antike është pak konvencionale, por ajo që e vulos të vërtetën janë gërmimet arkeologjike. Dhe këto dëshmojnë se kemi një toponimi që nuk ka ndryshuar pavarësisht shekujve, gjë që na jep të drejtën të mendojmë se dardanët kanë qenë një popullatë e vendosur fort, që ka lënë gjurmë të palëvizshme.

Për dardanët e Evropës dhe ata të Azisë kanë shkruar shumë autorë, që nga Straboni, e deri te studiues serioz si Zakaria Majani, Misionari dhe historiani Edyn Jacques, profesori Vasko Košić, pa harruar kryeveprën Illyricum Sacrum me autor Daniele Farlati. Kjo vepër, me plot 5500 faqe të ndara në disa vëllime, e shkruar nga kleriku dhe studiuesi Jakob Coleti, përmban atë që profesori Aleksandër Stipčević e cilësonte si një vepër monumentale europiane. Në këtë vepër theksohet qartë lidhja mes dardanëve trojanë dhe atyre ilirë.

Një ndër perandorët me origjinë ilire të Romës së lashtë, siç ishte Klaudi II, e cilësonte origjinën e tij nga dardanët që themeluan Trojën, siç shkruhet edhe në veprën “Historia e Perandorëve Romakë“. Po ashtu, autori britanik William Hazlitt, në enciklopedinë e tij të gjeografisë antike, i lidh qartazi dardanët jo vetëm me origjinën pellazge e ilire, por edhe me hapësirën ku ngrihej qyteti i Trojës.

Sipas tij, ata ishin hallka lidhëse mes ilirëve dhe trakëve, të cilët më pas themeluan shumë qytetërime të tjera.

Dardanët në Azi, Italinë e Jugut dhe përballjet me Romën

Sipas burimeve, në Azinë e Vogël, përveç dardanëve përmenden edhe brygët, myzët e me radhë fise të tjera. Straboni, historiani i njohur i lashtësisë, në veprën e tij “Gjeografia“, i vendos brygët dhe myzët edhe në Iliri. Po ashtu, edhe pajonet përmenden në dy vende.

A janë këto vetëm rastësi?

Lufta e Trojës mban diskutime të shumta, por dardanët përmenden edhe në një tjetër luftë të madhe të botës së hershme, rreth vitit 1274 para erës sonë. Fjala është për pjesëmarrjen e tyre në Betejën e Kadeshit, ku ata, në një marrëveshje me hititët, morën pjesë në betejë kundër Ramzesit II. Ky është një fakt i cili ka mbetur i shkëputur për fat të keq, por që tregon se pse dardanët do të shkonin si aleatë në një vend aq të largët.

Dy superfuqi siç ishin Egjipti dhe Mbretëria Hitite u përballën në një luftë për të zotëruar hapësirën e Sirisë së sotme. Në njërin krah qëndronte Ramzesi II, dhe në tjetrin Muatali. Kjo luftë nuk dihet saktësisht kush e fitoi, por me rëndësi është se në kronikat e vjetra përmenden si aleatë të hititëve edhe dardanët.

Kjo do të thotë se dardanët, edhe pse në periudha të errëta të historisë, shfaqen në dy luftëra të mëdha: ajo e Kadeshit (e dokumentuar) dhe ajo e Trojës (ende një mit).

Zhvendosjet drejt Italisë

Lëvizje të tjera të dokumentuara të dardanëve janë ato të galabrëve në zonën e Apulias (Pulia e sotme). Po kështu, serish në Itali, një fis tjetër daunët u vendosën në këto hapësira. Të dyja këto zhvendosje masive të këtyre fiseve, pjesë e 9 fiseve dardane, janë të pranuara dhe të njohura edhe nga arkeologë, studiues dhe historianë italianë.

Fakti që galabrët i kanë dhënë emrin krahinës së Kalabrisë, ku më pas në Mesjetë u vendosën edhe vetë arbëreshët, është i shkruar nga mjaft studiues të njohur të kohës.

Ndërkohë, vendosja në pjesën tjetër të Italisë, në Pulia, është gjithashtu e faktuar. Daunët, një nënfis dardan, krahas fiseve të tjera ilire japigëve, peuketëve dhe mesapëve, që mendohet se vinin nga Iliria Jugore krijuan një bashkësi të identifikuar qartë në ato zona. Kjo është e pranuar edhe nga historia italiane. Edhe sot kjo zonë njihet me emrin Mesapia.

Messapian pottery is a type of Messapian ceramic, produced between the 7th century BC until the 3rd century BC on the Italian region of southern Apulia. Messapian pottery was made by the Messapii, an ancient people inhabiting the heel of Italy since around 1000 BC, who migrated from Crete and Illyria

Kryeqendra e Dardanisë

Por cila ishte kryeqendra e Dardanisë në kohën e lulëzimit të saj?
Për këtë ka mendime të ndryshme nga studiuesit:

  • Një supozim është Damastioni, mes Kumanovës dhe Shkupit.
  • Një tjetër është Skupi i vjetër.
  • Një tjetër është Nishi (Naisus).

Më vonë kemi edhe qytete si Justiniana dhe Ulpiana, të lidhura me perandorin Justinian I.

Luftrat Romake – Dardane

Në vitin 168 p.e.s., për ta shkatërruar përfundimisht Maqedoninë, dardanët u bashkuan me romakët. Por ky bashkëpunim nuk zgjati shumë. Pas rënies së Maqedonisë, romakët sulmuan dardanët, duke pësuar edhe humbje në ato beteja. Konsujt romakë, jo të mësuar me humbje, për një kohë jo të shkurtër nuk arritën ta nënshtronin dot mbretërinë dardane.

Për këtë flet Flav Veget Renati, ish-shkrimtar ushtarak, i cili ka ruajtur disa të dhëna mbi organizimin në fushëbetejë të dardanëve. Ishte pikërisht ky organizim që e bënte të pamundur mposhtjen e tyre:

Forcat ushtarake ishin të organizuara në falanga, dhe çdo falangë kishte një numër prej 8000 ushtarësh.”

Të dhëna të tjera për ushtrinë dardane ka lënë edhe Tit Livi, një ndër historianët më të rëndësishëm romak. Teksa përshkruan betejat kundër maqedonasve, ai jep edhe një element shtesë mbi mënyrën se si dardanët lëviznin në fushëbetejë:

Dardanët thyen flamujt dhe u vendosën me radhë të rregullta përballë armikut. U vranë pak, të plagosur pati më shumë, por asnjë nga ta nuk u zu rob, sepse në raste të rralla dalin nga radhët e tyre dhe, të shtrënguar së bashku, luftojnë ose tërhiqen.

Atheneu, një tjetër autor i lashtësisë, shkruan:

Dardanët kanë aq shumë skllevër, sa që dikush kishte 1000, kurse të tjerët edhe më shumë. Secili nga këta, në kohë paqeje punonte tokën, e në kohë lufte luftonte, duke patur si prijës zotin e vet.

Pra, lufta dardane me romakët ishte një nga luftërat më të gjata që kanë zhvilluar romakët.

Dardanët në Perandorinë Romake

Ilirët, ku bënin pjesë edhe dardanët, e patën të pamundur të ruanin plotësisht identitetin e tyre përballë romanizimit. Megjithatë, shumë figura nga Dardania arritën në kulmin e shoqërisë romake. Një prej tyre ishte Aureliani, i cili udhëhoqi Perandorinë Romake nga viti 270 deri në vitin 275, dhe vinte nga Dardania.

Por ai nuk ishte i vetmi. Pak vite më pas, perandorë si Probo, Diokleciani, Maksimiliani dhe deri te më i njohuri prej tyre, Kostandini i Madh (që serbët e konsiderojnë si themelues të shtetit të tyre, pa asnjë bazë), ishin me prejardhje iliro-dardane.

Konstandini i Madh*

Dardanët në Kohën Bizantine

Dardanët ruajtën pozitat edhe pas rënies së Perandorisë Romake dhe me shfaqjen e asaj Bizantine. Justini I në shekullin V dhe mbi të gjitha Justiniani u njiheshin gjerësisht si dardanë – gjë që u konfirmua edhe më tej me zbulimet arkeologjike në Ulpianë.

Justinian I njihet, ndër të tjera, si një nga perandorët që investoi më së shumti në mbrojtjen nga dyndjet barbare dhe ato sllave. Thuhet se vetëm ai ndërtoi mbi 36 qytete, të cilat ende ekzistojnë.

Gjurmimet dhe faktet historike nuk guxojmë t’i kërkojmë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, pasi aty shfaqen qartë. Dardanët bënë një kalim të natyrshëm tek pasuesit e tyre, siç ndodhi me të gjitha fiset ilire: tek arbërit. Kjo dëshmohet jo vetëm me dokumente, por edhe me zbulime të shumta arkeologjike.

Në kohën kur nisën dyndjet sllave në këto vende, kishte qytete dhe qendra të zhvilluara, objekte kulti dhe struktura të tjera të organizuara. Një pjesë e madhe u shkatërruan, ndërsa një pjesë tjetër, si kishat, u përvetësuan nga pushtuesit.


Përfundim

Për gjithë këtë periudhë ka dokumente të shumta historike dhe arkeologjike. Megjithatë, një shkrim i detajuar për këtë pjesë do të vijë shumë shpejt në blog te ri.

Marr nga emisoni Marin Memes, në TopChanel

Bëhu pjesë e komunitetit tonë historik, merr njoftime për çdo artikull të ri.



    Qëndroni me ne, na ndiqni në rrjetet sociale!

    Bëhu pjesë e komunitetit tonë historik, merr njoftime për çdo artikull të ri.



      Qëndroni me ne, na ndiqni në rrjetet sociale!

      Previous:
      Justinian dhe Teodora ndërtuan një bazilikë në Ulpianë, me një mbishkrim kushtuar Cezarit.
      Kush ishin Ilirët?
      Next:
      Ilirët? Origjina e tyre dhe lidhja me shqiptarët

      Leave a Reply

      Your email address will not be published. Required fields are marked *