Fjalimi i Vërtetë për Skënderbeun Lidhja e Lezhës
Zbuloni fjalimin origjinal të Skënderbeut në Lidhjen e Lezhës më 2 Mars 1444, krijimin e Besëlidhjes Arbërore dhe bashkimin historik të princërve shqiptarë.

Pas çlirimit të Krujës, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u drejtua me ushtrinë e tij drejt krahinës së Dibrës.
Gjatë marshimit, shumë luftëtarë të rinj iu bashkuan forcave arbërore, ndërsa njësitë osmane po largoheshin ose po dëboheshin nga territoret përreth.
Skënderbeu u dha luftëtarëve të tij lirinë që secilin garnizon osman ta trajtonin sipas rrethanave. Kjo fushatë vazhdoi për disa ditë dhe shërbeu për të forcuar kontrollin mbi zonat e çliruara.

Woodcut by Jost Amman depicting Skanderbeg’s return to Krujë.
Në këtë periudhë ai lidhi aleancë edhe me Moisi Golemin, një nga komandantët më të aftë të kohës, i cili më vonë u bë një nga bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të tij.
Për të bllokuar lidhjet e garnizonit të Sfetigradit me pjesën tjetër të Perandorisë Osmane, rreth 2,000 luftëtarë u vendosën në kalimet strategjike.
Në të njëjtën kohë, Skënderbeu urdhëroi që të gjitha repartet arbërore të mblidheshin në Krujë.
Aty iu bashkuan edhe shumë princër e fisnikë, ndër ta Muzakajt, Gjergj Stres Balsha, Gjin Muzaka dhe prijës të tjerë. Ndihmë financiare dhe ushtarake dërgoi edhe princi malazez Stefan Crnojeviq.

1596 engraving by Johann Theodor de Bry of Moisi Golemi
Për të bllokuar lidhjet e garnizonit të Sfetigradit me pjesën tjetër të Perandorisë Osmane, rreth 2,000 luftëtarë u vendosën në kalimet strategjike. Në të njëjtën kohë, Skënderbeu urdhëroi që të gjitha repartet arbërore të mblidheshin në Krujë. Aty iu bashkuan edhe shumë princër e fisnikë, ndër ta Muzakajt, Gjergj Stres Balsha, Gjin Muzaka dhe prijës të tjerë. Ndihmë financiare dhe ushtarake dërgoi edhe princi malazez Stefan Crnojeviq.
Forcat arbërore arritën në rreth 12 mijë luftëtarë, duke krijuar ushtrinë e organizuar të Arbërisë nën drejtimin e Skënderbeut.
Objektivi i parë ishte Kalaja e Petrelës, e cila kontrollonte rrugën nga Qafa e Krrabës drejt ultësirës së Tiranës. Moisi Golemi udhëhoqi pararojën me rreth 3,000 ushtarë, ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë lëvizte pas tij.
Marin Barleti shkruan se ushtria nuk përdori artileri apo katapulta, pasi dimri i ashpër dhe dëbora e madhe e bënin pothuajse të pamundur transportimin e tyre.
Para se të fillonte sulmi, Skënderbeu provoi rrugën e negociatave. Ai u ofroi mbrojtësve osmanë mundësinë të bashkoheshin me arbërit ose të largoheshin të lirë drejt territoreve osmane. Madje ishte i gatshëm t’i shpërblente nëse dorëzonin kalanë pa luftë.
Duke kujtuar fatin tragjik të garnizonit osman të Krujës, mbrojtësit e Petrelës pranuan marrëveshjen dhe u larguan me sendet e tyre. Me marrjen e kësaj kështjelle, Skënderbeu shtoi edhe një pikë të rëndësishme strategjike nën kontrollin e tij.
Sipas Barletit, Skënderbeu flinte vetëm pak orë gjatë natës dhe përballonte pa vështirësi lodhjen e urinë, duke qëndruar vazhdimisht pranë ushtrisë.
Më pas ushtria u drejtua drejt Petralbës (Gurit të Bardhë), një fortesë që kontrollonte rrugët lidhëse ndërmjet Matit, Krujës dhe Durrësit. Edhe aty garnizoni osman pranoi dorëzimin pa rezistencë.
Nga Petralba, forcat arbërore marshuan drejt Stelushit. Kjo kala ndodhej në një pozicion shumë të mbrojtur mes shkëmbinjve. Komandanti osman refuzoi çdo ofertë për dorëzim dhe deklaroi se do të luftonte për sulltanin. Megjithatë, ushtarët e tij vendosën ta dorëzonin tek Skënderbeu dhe pranuan të largoheshin pa u dëmtuar.
Objektivi i radhës ishte Sfetigradi. Përveç ofertës për dorëzim, Skënderbeu vendosi përpara mureve komandantin e Stelushit, duke paralajmëruar se do ta ekzekutonte nëse garnizoni nuk dorëzohej. Mbrojtësit nuk pranuan, duke besuar se dimri do ta detyronte ushtrinë arbërore të tërhiqej.
Pas ekzekutimit të komandantit, rrethimi vazhdoi. Në kampin arbëror u diskutuan tre strategji: disa propozonin shtyrjen e rrethimit deri në pranverë, të tjerë kërkonin një sulm të menjëhershëm, ndërsa Moisi Golemi sugjeroi që kalaja të mbahej e izoluar deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Propozimi i tij u pranua.
Rreth 3,000 luftëtarë mbetën për të ruajtur kalimet strategjike dhe për të vazhduar bllokadën e Sfetigradit nën komandën e Moisi Golemit. Pjesa tjetër e ushtrisë u kthye në Krujë.
Me ardhjen e dimrit, operacionet ushtarake u pezulluan përkohësisht. Luftëtarët u shpërndanë me urdhër që të ribashkoheshin në pranverë, ndërsa gjatë kësaj periudhe Skënderbeu vazhdoi të pranonte mbështetje politike, financiare dhe ushtarake nga princat fqinjë.

FUSHATA E HUNIADIT
“Fuqia është më e madhe kur përdoret për të sulmuar sesa për t’u mbrojtur.”
Janosh Huniadi
Regjent-Guvernator i Mbretërisë së Hungarisë
Ndërkohë, Sulltan Murati i kishte duart e zëna. Fushata e egër e Janosh Huniadit vazhdonte. Pas Betejës së Nishit, ku mori pjesë edhe Skënderbeu, hungarezët pushtuan lehtësisht Sofjen.
Kryqëzata nuk tregoi mëshirë për qytetet turke. Për t’u mohuar burimet natyrore, Sofja u plaçkit dhe u shkatërrua. Huniadi nuk ndalet; ai kërkon Adrianopojën, kryeqytetin e osmanëve, por vetë Sulltan Murati e ndali në Betejën e Zllaticës më 12 dhjetor 1443.
Gjatë tërheqjes, Huniadi i mposht edhe një herë të fundit osmanët në Betejën e Kunovicës. Të rraskapitur dhe me motin kundër, hungarezët tërhiqen në Beograd. Aty do të planifikojnë vazhdimin e kryqëzatës, e cila do të kulmonte në Betejën tragjike të Varnës më 10 nëntor 1444.
Kryqëzata e Huniadit i dha Kastriotit kohën që i nevojitej.
Menjëherë u dërgoi lajm të gjithë princave arbërorë që të mblidheshin e të bashkonin forcat. Me miratimin e Venedikut u caktua Lezha. Vetë italianët nuk kontribuan, pasi dëshironin të mbanin paqe me sulltanin; ata dërguan thjesht vëzhgues.
“Kështu, që të mos u linte përshtypjen se kujdesej më fort për nderin e vet se të të tjerëve dhe që të mos mbetej asnjë shteg për dyshime, nuk i thirri princërit në Krujë…”
Marin Barleti
“Historia e Skënderbeut”, fq. 45
Kisha Katolike e Shën Kollit
Në Katedralen e Shën Kollit erdhën princat e mëdhenj arbër: Gjergj Arianiti, legjendar; Lekë Zaharia, besnik i flaktë i Skënderbeut; Pal dhe Nikollë Dukagjini, Pjetër Spani, Lekë Dushmani, Stefan Crnojeviq, Gjergj Balsha dhe Andrea Topia.
“Zotërinj të mrekullueshëm dhe etër të nderuar. Nuk e vë në dyshim që për ju të jetë diçka e panjohur se me sa armiqësi dhe urrejtje e përndjekin turqit fenë tonë, Krishterimin e shenjtë, si dhe sa armiqësorë janë kundër çdo virtyti, por veçanërisht faktin se ata nuk e mbajnë kurrë besën e dhënë. Madje, nëse do të mundnin, do t’i shkonin në teh të shpatës të gjithë princat e krishterë, siç është vërtetuar edhe nga përvoja, kur Perëndia ua ka lejuar si për të shlyer gabimet tona. Megjithatë, për hir të së vërtetës dhe të Gjithëpushtetshmit Zot, unë i dëbova uzurpatorët nga shteti atëror dhe i bëra copash të gjithë turqit që m’u kundërvunë, e mandej rimora gjithçka që zoti turk zotëronte në Shqipëri, siç i është bërë e ditur gjithsecilit prej jush.
Prapëseprapë, zotërinj të nderuar, duhet të keni parasysh faktin se ai qen i tërbuar do të më kundërvihet me mish e me shpirt, duke shfrytëzuar çdo mundësi, dhe shumë shpejt do të më qepet pas. Nëse, për fat të keq, gjë të cilën Zoti nuk e dëshiron, do të më mposhtë, gjithçka do të binte sakaq në dëmin tonë. Gjithsesi, i ngushëlloj zotërinjtë e nderuar dhe ju lutem që, në emër të Perëndisë dhe besimit tonë të shenjtë, pas çdo obligimi të keni mirësinë dhe të denjoni t’i bashkoni forcat tuaja me mua. Në rast se nuk e bëni këtë, me mendimin se doni të jeni në paqe me turqit, do t’ju lutesha shumë që të paktën të rrini mënjanë, duke mos i ndihmuar turqit, kurse mua të mos më bëheni pengesë. Për këtë meritoni të më jepni një përgjigje mirëdashëse, sepse shpresoj që, me ndihmën e Madhërisë Hyjnore, të mbrohem me çdo mënyrë nga një tiran kaq i madh.”
Krijimi i Lidhjes së Lezhës
Princat shqiptarë shpeshherë bënin luftë me njëri-tjetrin dhe disa prej tyre ishin përgjegjës për bashkëpunimin me osmanët. Ishte hera e parë në histori që dikush tentoi t’i bashkonte.
U vendos që të formohej një federatë arbërore deri në çlirimin e plotë nga pushtuesi osman. Organet më të larta të saj do të ishin:
Besëlidhja e Lidhjes së Lezhë
Asambleja e Princërve – Në të merrnin pjesë të gjithë princat më të fuqishëm të vendit, ata që themeluan Lidhjen dhe të tjerë që iu bashkuan më vonë. Ky organ u mblodh disa herë gjatë ekzistencës së Lidhjes së Lezhës dhe merrte vendimet madhore të Besëlidhjes.
Komandanti i Përgjithshëm – Gjergj Kastrioti do të shërbente si komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Ai nuk kishte fuqi administrative mbi zotërimet e princërve. Si pasojë, Skënderbeu u njoh si Primus inter Pares – i pari mes të barabartëve.
Këshilli i Lartë – Një organ tjetër ishte Këshilli i Lartë. Ai përbëhej nga diplomatë, arkëtarë dhe ushtarakë. Në mbledhjet e Këshillit të Lartë diskutoheshin çështje diplomatike, ekonomike dhe ushtarake. Ky këshill qëndronte pranë Kastriotit.
Veç këtyre u krijuan edhe disa organe të tjera administrative.
Arka e Përbashkët – Drejtohej nga Andrea Suma, ku kontribuonin princat anëtarë të Asamblesë. Të ardhurat e Lidhjes arrinin deri në 200 mijë dukatë në vit, falë edhe të ardhurave nga kriporet e Shën Nikollit.
Organi i Punëve të Jashtme – Drejtohej nga peshkopi Andrea dhe Gjergj Pelini.
Kancelaria – Merrej me hartimin e shkresave zyrtare në gjuhë të ndryshme.
Këshilli i Luftës – Mblidhej në raste fushatash ushtarake dhe diskutonte veprimet strategjike të ushtrisë. Në të merrnin pjesë vetëm gjeneralët dhe kryesohej nga Skënderbeu.
Ushtria e Përbashkët – Kjo ndahej në Gardën Pretoriane të Skënderbeut, të përbërë nga kalorës elitë; rojat kufitare, të drejtuara nga Moisi Golemi; dhe rekrutët e mbledhur nga të gjithë princat e tjerë, të cilët thirreshin në rast lufte.
Duhet të kuptojmë se në Mesjetë forca e një princi vinte përmes floririt dhe pronës së tij, por këto, në vetvete, garantoheshin nga forca e armatosur.
Dorëzimi i ushtrive në duart e një udhëheqësi të vetëm ishte një veprim mjaft delikat. Po të vendoseshim në vendin e një princi arbër, do të përballeshim me tre rreziqe:
A ka shpresë që kjo federatë e vogël të mposhtë perandorinë më të fuqishme të Ballkanit? Çfarë do të ndodhë me zotërimet e tyre në qoftë se ky lider i ri dështon? A do t’i shpëtojnë zemërimit të sulltanit?
Kjo ndërmarrje dukej si një vetëvrasje dhe kërkonte një besim të madh nga ana e princërve. Por tehut u kishte ardhur në palcë. Së shpejti, Kastrioti do t’ua shpërblente besën e dhënë.
Burimet
Ky shkrim nuk do të realizohej pa punën e kanalit në YouTube Kronikani me Plis:
Burimet e “Kronikani me Plis”
“Kjo temë nuk do të realizohej pa punën e palodhur të profesorit Mark Palnikaj, i cili na dhuroi librin ‘Skënderbeu, letërkëmbimi me sulltanët’, ku gjenden tetë dorëshkrime të Skënderbeut, si dhe fjalimi i tij origjinal, i shkruar dhe i përkthyer nga ambasadorët italianë.”
Literatura
Marin Barleti – Historia e Skënderbeut
Kristo Frashëri – Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Jeta dhe Vepra
John Jefferson – The Holy Wars of King Wladislas and Sultan Murad: The Ottoman-Christian Conflict from 1438–1444
Bashkim Brahmani & Majlina Belegu – The State of Scanderbeg: Institutions and the Applied Law
Mark Palnikaj – Skënderbeu, Letërkëmbimi me Sulltanët
